“Nuk mundet me m’ndal kurrkush”. Kështu ka deklaruar Vezir Haziraj në një video të publikuar në TikTok, një ditë pasi dyshohet se plagosi me armë zjarri një person në fshatin Orroberdë të Istogut.

Haziraj, i cili aktualisht ndodhet në arrati dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës, në videon e tij ka folur për problemet që ka pasur me drejtësinë dhe dënimin që kishte vuajtur më herët.

@vezir.1997 #fyp #foryou #⚖️ ♬ original sound – Vezir haziraj (est 1997 🦁☝🏻

Ai ka krahasuar rastin e tij me një rast tjetër, duke pretenduar se ndaj tij nuk është zbatuar drejtësia në mënyrë të barabartë.

“Pse me u dorëzu unë, kur Gani Gecit ia kanë bo vetëmbrojtje, aty dy vjet e gjysmë burg i ka mbajt për vrasje, a unë plagës vetëmbrojtje në shtëpi teme, mu 5 vjet mi jepni burg”, ka thënë Haziraj.

Më tej, ai ka lënë të kuptohet se nuk planifikon të dorëzohet.

“Kur nuk ka drejtësi, unë e kom trunin tem vazhdoj në atë temën time dhe nuk mundet me m’ndal kurrkush”, është shprehur ai.

IndeksOnline raportoi të premtën se Haziraj dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka përdorur armën e zjarrit ndaj Dardan Haxhijajt, rreth 34-vjeçar.

Haxhijaj ka mbetur i plagosur në pjesën e sipërme të këmbës së majtë, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit.