Bruno Guimaraes ka përfunduar transferimin e tij prej 75 milionë paundësh tek Arsenali dhe do të vazhdojë të mbajë fanellën ikonike me numrin 39, të cilin e bëri të famshëm te Newcastle United.
28-vjeçari ka nënshkruar një kontratë fillestare katërvjeçare në veri të Londrës dhe ka thënë se dëshira për të fituar më shumë trofe ishte një nga motivet kryesore pas transferimit të tij gjatë kësaj vere.
Guimaraes ishte kapiten i Newcastle kur klubi fitoi trofeun e parë që nga viti 1955, duke triumfuar në Carabao Cup vitin e kaluar, por ai beson se tani është në një pozicion ku mund të luftojë për titullin e Premierligës dhe trofeun e Ligës së Kampionëve me skuadrën e Mikel Artetas.
Mesfushori i kombëtares së Brazilit pranoi se largimi nga Newcastle ishte “një nga vendimet më të vështira të jetës së tij”, por e kuptoi se bëhej fjalë për një mundësi shumë të mirë për t’u refuzuar, ndërsa vazhdon ngritjen e tij të jashtëzakonshme që prej largimit nga Amerika e Jugut gjashtë vite më parë.
Guimaraes nuk i ka harruar kurrë rrënjët e tij, pasi u rrit në lagjen São Cristóvão të Rio de Janeiros.
Babai i tij punonte shumë për të mbajtur familjen, si shofer taksie në qytet, ndërsa numri 39 ishte i vendosur në anën e makinës. Ishte pikërisht ajo makinë që jo vetëm i siguronte familjes të ardhurat e nevojshme, por gjithashtu i mundësonte Guimaraesit të shkonte në stërvitje dhe në provat për ekipet, që kur ishte fëmijë.
“Babai im ishte shofer taksie në Brazil për më shumë se 20 vjet”, tregoi ai për mediat e klubit të Arsenalit. “Taksia, sigurisht, më dha gjithçka për familjen time, shtëpinë ku jetojmë, ushqimin, rrobat e mia, gjithçka.
“Prandaj, kur pata mundësinë të nënshkruaja për një klub të madh në Brazil, e pyeta babain tim se cilin numër duhej të zgjidhja dhe ai më tha 39. Isha pak i mërzitur, sepse doja të merrja numrin 97. Ai më tha: ‘Jo, jo, merr 39. Numri 39 të dha gjithçka.’
“Mbaj mend kur isha 11 apo 12 vjeç, babai më çonte me makinë kudo, gjithmonë me numrin 39. Kur shkova te Athletico Paranaense, shkova të kryeja vizitat mjekësore. Kur mora rrobat dhe hapa [çantën], brenda ishte numri 39 dhe u tremba shumë. Shkova te përgjegjësi i pajisjeve dhe e pyeta: ‘Pse 39?’
“Ai më tha: ‘Nëse nuk e dëshiron, mund ta ndryshosh.’ Unë i thashë: ‘Jo, jo, jo, është pikërisht ajo që dua.’ Në atë moment telefonova babain tim dhe, kur i tregova historinë, ai filloi të qante. Ai më tha: ‘Ta thashë, ky numër do të të sjellë fat.’
“Që nga ajo ditë, kam mbajtur gjithmonë numrin 39. Ai do të thotë gjithçka për mua. Madje kam edhe një tatuazh me numrin 39”./GazetaExpress/
