**Nazmi Kolgeci: Diagnostikimi i vonë i kancerit të mushkërive pamundëson operacionin për shumicën e rasteve**

Vetëm një përqindje e vogël e pacientëve me kancer të mushkërive, rreth 10-15% e tyre, arrijnë të trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale, pasi shumica e rasteve diagnostikohen në faza të vonshme. Këtë e bëri të ditur drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, në një intervistë për Ekonomia Online.

Kolgeci theksoi se vonesa në paraqitjen te mjeku dhe neglizhenca e simptomave fillestare, siç është kolla e vazhdueshme, ndikojnë që pjesa më e madhe e rasteve të jenë të paoperueshme. Sipas tij, ndryshe nga kanceret e tjera, për kancerin e mushkërive situata është më e ndërlikuar, pasi 85-90% e rasteve mbeten inoperabile për shkak të fazës së avancuar të sëmundjes në momentin e diagnostikimit.

Ai paralajmëroi se jo çdo kollë duhet neglizhuar dhe theksoi rëndësinë e vizitave të hershme, veçanërisht për duhanpirësit. Kontrollat e shpeshta te pulmologu apo kirurgu torakal janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm.

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë të shumtë. Përveç predispozitës gjenetike, rol të rëndësishëm luajnë pirja e duhanit, ajri i ndotur, ekspozimi profesional si në miniera, si dhe faktorë të tjerë mjedisorë e mënyra e jetesës.

Ndërsa kanceri i mushkërive mund të prekë një gamë të gjerë moshash, nga 22 deri në 90 vjeç, mosha më e frekuentuar është rreth 50-vjeçare.

Lidhur me tuberkulozin, Kolgeci sqaroi se rastet në klinikën e tij janë më të rralla dhe zakonisht trajtohen nga pulmologët. Seksioni i kirurgjisë torakale merret vetëm me raste të komplikuara, të tilla si ato me terapi rezistente, empiemë, efuzion ose pneumotoraks, të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Aktualisht nuk ka pacientë me tuberkuloz në trajtim, por gjatë gjithë vitit ka raste të tilla të komplikuara.