KPMM raporton për buxhetin e vitit 2025: Mbi 26 milionë euro të hyra dhe shpenzime buxhetore
Kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Habib Basholli, ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Buxhet lidhur me menaxhimin financiar dhe realizimin e buxhetit të institucionit për vitin 2025. Gjatë këtij viti, KPMM-ja ka arkëtuar mbi 26 milionë euro të hyra, ndërsa buxheti i saj ka pësuar ndryshime si rezultat i vendimeve qeveritare, duke marrë edhe mjete shtesë.
Gjatë prezantimit të raportit, Basholli theksoi se vëmendje e veçantë i ishte kushtuar disiplinës buxhetore, transparencës financiare dhe orientimit të shpenzimeve drejt nevojave prioritare të institucionit. Ai shtoi se përgjegjësia e KPMM-së nuk kufizohet vetëm në realizimin financiar të buxhetit, por përfshin edhe mbikëqyrjen e sektorit minerar, parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Menaxhimi i financave publike vlerësohet jo vetëm nga realizimi buxhetor, por edhe nga rezultatet konkrete të arritura në përmbushjen e mandatit ligjor,” deklaroi Basholli. Ai vuri në dukje rëndësinë strategjike të sektorit minerar për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksoi se funksionimi efikas i tij ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e këtij sektori. “Një nga prioritetet tona mbetet forcimi i mekanizmave të kontrollit, parandalimi i aktiviteteve të paligjshme minerale dhe rritja e përgjegjësisë së operatorëve të licencuar. Po ashtu, rëndësi e veçantë i është kushtuar forcimit të kapaciteteve profesionale dhe teknike të institucionit me qëllim që mbikëqyrja e sektorit minerar të jetë sa më efikase,” u shpreh ai.
Sa i përket buxhetit, Basholli bëri të ditur se KPMM-ja kishte një buxhet fillestar prej 1,566,882 eurosh për vitin 2025. Pas ndryshimeve dhe rishpërndarjeve buxhetore, shuma përfundimtare arriti në 1,589,157.54 euro. Këto ndryshime erdhën kryesisht si pasojë e vendimeve të Qeverisë, veçanërisht për shkak të rritjes së pagave, për të cilat institucionit i janë ndarë mjete shtesë prej 26,890.09 eurosh. Nga buxheti përfundimtar, KPMM-ja ka shpenzuar gjithsej 1,391,488.26 euro, ose 87.56 për qind të totalit, duke lënë një mbetje buxhetore prej 197,669.28 eurosh. Shpenzimet për paga dhe mëditje u realizuan 100 për qind, në vlerën 889,213.39 euro. Për mallra dhe shërbime u shpenzuan 347,735.16 euro, ndërsa për shpenzime komunale 20,361.40 euro. Nga 292 mijë euro të planifikuara për projekte kapitale, u shpenzuan 134,178.31 euro, ndërsa për projektet e parealizuara kërkohen arsye konkrete.
Në anën tjetër, të hyrat e planifikuara për KPMM-në ishin 28,850,000 euro, prej të cilave janë arkëtuar 26,346,217.99 euro nga aktivitetet minerale. Taksat administrative arritën në 448,822.76 euro, ndërsa gjobat administrative në 327,696.96 euro. KPMM-ja menaxhoi buxhetin me një realizim prej 87.56 për qind të shpenzimeve dhe 91.32 për qind të planifikimeve për të hyra.
Pas raportimit të Bashollit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, kërkoi sqarime nga zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me gjetjet e raportit të auditorit. Për këto çështje, Haradin Gërvalla, kryesues i Departamentit të Financave në KPMM, dha detaje.
Lidhur me konfiskimin e garancioneve bankare, Gërvalla shpjegoi se KPMM-ja ka konfiskuar garancionet e ndërmarrjeve që nuk i kanë përmbushur kushtet e projekteve të shfrytëzimit, duke arkëtuar rreth 450 mijë euro. Ai theksoi mosmarrëveshjen me auditorin për trajtimin e këtyre fondeve si të hyra, pasi sipas tij, ato duhet të konsiderohen depozita.
Për regjistrimin e pasurive, Gërvalla sqaroi se një gabim teknik u bë gjatë blerjes së dy automjeteve, ku zyrtari regjistroi vlerën e pagesës në vend të vlerës së kontratës, gabim ky tashmë i korrigjuar në sistem. Ndërsa, sa i përket zhvlerësimit të pasurisë, ai tha se problemi nuk është specifik për KPMM-në, por lidhet me sistemin e Thesarit të Ministrisë së Financave, me të cilin po përballen edhe institucionet e tjera buxhetore.
Basholli theksoi se bordi do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për parimet e ndershmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së interesit publik në sektorin minerar.
