Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ripërsëritur thirrjen për një protestë kombëtare këtë të shtunë, duke ftuar qytetarët të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë në orën 12:00.
Kjo protestë e opozitës do të zhvillohet njëkohësisht me lëvizjen studentore, të cilën Partia Demokratike e ka deklaruar se e mbështet që në fillimet e saj. Gjatë tre të shtunave të shkuara, demokratët kanë organizuar gjithashtu protesta kombëtare, duke iu bashkuar revoltës së të rinjve.
Megjithatë, protesta e fundit u karakterizua edhe nga tensione mes studentëve dhe përfaqësuesve të opozitës. Studentët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj pranisë së deputetëve demokratë dhe i larguan ata nga tubimi, duke kërkuar që demonstrata e tyre të ruante një karakter qytetar dhe të mos identifikohej me partitë politike.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Berisha ka përsëritur ftesën për pjesëmarrje në protestën e radhës, duke theksuar nevojën që qytetarët të mblidhen këtë të shtunë, në orën 12:00, përpara godinës së Kryeministrisë.
