Mbi 37 kilogramë heroinë, me vlerë rreth 550 mijë euro, janë sekuestruar në një operacion të koduar “Rikthimi”, të realizuar nga Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Si rezultat i këtij aksioni të përbashkët, pesë persona janë arrestuar, dy prej të cilëve janë shtetas turq.

Aksioni erdhi pas një hetimi intensiv të zhvilluar nga institucionet e sigurisë, duke rezultuar në kontrollin e pesë lokacioneve. Gjatë këtij operacioni, përveç sasisë së madhe të drogës, janë sekuestruar edhe para të gatshme, një veturë, telefona celularë, një pajisje për presimin e drogës dhe prova të tjera materiale.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, theksoi në një konferencë për media se aksioni është fryt i hetimeve të nisura së fundmi, bazuar në informacionet e siguruara nga AKI. Ai falënderoi të gjithë të angazhuarit për profesionalizmin dhe ruajtjen e konfidencialitetit, duke premtuar luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve.

Prokurori i rastit, Atdhe Dema, bëri të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet në 550 mijë euro, ndërsa lloji i saj i saktë, i dyshuar për heroinë, do të konfirmohet pas analizave laboratorike. Dema shtoi se bëhet fjalë për një grup kriminal mirë të organizuar, të akuzuar për blerje dhe shpërndarje narkotikësh, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Detaje për mënyrën e funksionimit të grupit dhe gjetjet gjatë operacionit dha Reshat Murseli nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Kosovës. Ai shpjegoi se hetimet kishin nisur kohë më parë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe AKI-në, duke grumbulluar prova brenda një periudhe rekord.

Murseli detajoi se në një depo u gjet fillimisht heroinë e vendosur në një qese najloni, si dhe 61 paketime të tjera të kamufluara në mallra komerciale. Një kilogram tjetër heroinë e dyshuar u gjet në një nga banesat e kontrolluara. Në total, u gjetën 62 paketime me peshë mbi 37 kilogramë. Po ashtu, në depo u identifikua dhe konfiskua një makineri presatimi, që shërben për përpunimin e drogës, duke sugjeruar qëllimin e grupit për të shtuar sasinë.

Murseli konfirmoi se gjatë operacionit policor u kontrolluan pesë lokacione dhe u arrestuan pesë të dyshuar: dy shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas shqiptarë të Kosovës.

Përveç drogës, janë sekuestruar edhe 5300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një DVR i kamerave të sigurisë, 15 fishekë të kalibrit 9×90 milimetra dhe një prerëse. Sipas hetimeve, dyshohet se grupi kriminal e transportonte sasinë e narkotikut të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme.