SKANDAL NË SERBI: Gruaja përballet me Vuçiqin “live”, akuzon për premtim pune në këmbim të votave

Gjatë një vizite të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Nova Varosh, një banore e këtij qyteti e ka përballur atë publikisht, duke pretenduar se në vitin 2020 i ishte premtuar një vend pune në këmbim të mbledhjes së votave për zgjedhjet parlamentare. Ajo pohoi se, pavarësisht angazhimit, vendin e punës nuk e mori kurrë, sipas raportimeve të mediave rajonale.

Gruaja iu drejtua jo vetëm presidentit Vuçiq, por edhe Krsto Janusheviqit, ushtruesit të detyrës së drejtorit të “Srbijasume”, si dhe kryetarit të komunës së Nova Varoshit, Branko Bjeliq. Të tre ndodheshin pas presidentit në skenë gjatë shfaqjes publike.

“Në vitin 2020 më ishte premtuar se do të punësohesha. Më thanë se nëse mblidhja një numër të caktuar votash, do të merrja një vend pune,” citohet të ketë thënë gruaja.

Ajo shtoi se kryetari i komunës, Branko Bjeliq, është fqinj i saj, por se prej atëherë nuk komunikon më me të, duke lënë të kuptohet për një krisje të marrëdhënieve pas dështimit të premtimit. Videoja e kësaj përballjeje është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngritur debate mbi praktikat elektorale në Serbi.