Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, njëri me mbishkrimin UÇK dhe tjetri i Shqipërisë.

Rasti është raportuar më 10 gusht, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi i kishës, i cili ka njoftuar Policinë se flamujt ishin vendosur në rrethojën e objektit fetar.

Njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë identifikuar e shoqëruar në Stacionin Policor në Lipjan personin me inicialet D.M., nga Komuna e Lipjanit.

Sipas Policisë, gjatë trajtimit nga Njësia e Hetimeve, është konstatuar se personi ishte nën ndikimin e alkoolit, me 0.61 promilë.

Ndërkohë, si pjesë e hetimeve, më 11 gusht është shoqëruar në stacionin policor edhe personi me inicialet E.M., po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat policore.

Për rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe Departamentit të Përgjithshëm. Me udhëzimin e tyre, rasti është proceduar me Shënim Zyrtar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në kuadër të masave për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore fetare, ka dosje të veçanta për këto objekte dhe ndërmerr masa të sigurisë në varësi të vlerësimit të rrezikut.

Sipas Policisë, 24 objekte të trashëgimisë kulturore sigurohen me prezencë policore 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, ndërsa për objektet e tjera siguria ofrohet përmes njësive policore patrulluese.

Policia ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e të gjitha objekteve të trashëgimisë kulturore fetare.