Keidi Bare, përforcimi i ri i Volosit

Mesfushori shqiptar Keidi Bare është zyrtarisht përforcimi më i ri i klubit grek të Volosit. Prezantimi i tij u bë publik gjatë ditës së sotme nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të klubit të Superligës greke.

Pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, Bare firmosi kontratën e re dhe që nga dita e sotme pritet t’i bashkohet skuadrës në seancën stërvitore. Në Superligën greke, ai do të ritakohet me dy shokë të Kombëtares, Stavro Pilo dhe Thomas Strakosha, të cilët aktivizohen me kampionët e AEK-ut, çka do t’i bëjë ata rivalë në sezonin e ri.

Mesfushori 28-vjeçar ka qenë më parë pjesë e Real Zaragozës në kategorinë e dytë spanjolle, si dhe ka luajtur edhe për Espanyolin dhe Malagën.

Lidhur me paraqitjet me Kombëtaren e Shqipërisë, Bare ka regjistruar 29 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Megjithatë, vitet e fundit ai ka qenë i lënë mënjanë nga trajnerët e mëparshëm, duke dalë jashtë “orbitës” së kuqezinjve për një periudhë të gjatë.