Sami Lushtaku kritikon mungesën e institucioneve në përvjetorin e masakrës së Rezallës: “Mos vini vetëm për vota”

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, bëri homazhe sot në Rezallë, në kuadër të shënimit të përvjetorit të masakrës. Ai theksoi se familjarët e viktimave presin angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për prosperitetin e vendit.

Lushtaku e cilësoi këtë ngjarje si një nga më të rëndat që ka përjetuar kombi shqiptar, duke kërkuar rritjen e angazhimit institucional ndaj familjeve të viktimave dhe vetë vendit.

Duke folur për praninë e përfaqësuesve shtetërorë në këtë përvjetor, Lushtaku kritikoi mungesën e tyre, duke theksuar se këto vende të shenjta nuk duhet të vizitohen vetëm gjatë fushatave elektorale.

Ai theksoi: “Ky është edhe problemi më i madh, që ne nuk duhet të vijmë këtu vetëm kur kemi nevojë të kërkojmë vota. Përkundrazi, unë mendoj se këtu duhet të vijmë ndonjëherë edhe për të marrë forcë, për të parë çfarë ka ndodhur në këtë vend. Nëse merr një rrugë nga Skenderaj drejt Prishtinës, do të shohësh se ka pasur të vrarë në shumë familje, si në Shkabaj dhe zona të tjera. Pra, nëse vërtet e ndjen atë që ka ndodhur këtu, me siguri që sot do të duhej të ishin prezentë edhe partitë politike, edhe institucionet e Kosovës, sepse në fund të fundit, lufta është zhvilluar për institucione dhe për këtë vend.”

Sot shënohet 27-vjetori i masakrës së Rezallës së Skenderajt, ku më 5 prill të vitit 1999, ushtria dhe policia serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth. Nga këta, trupat e 44 viktimave ishin tentuar të zhdukeshin.

Një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Në ditën e masakrës, forcat serbe rrethuan shtëpitë dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj të këtyre familjeve.

Nga masakra e Rezallës, vetëm tre persona arritën të mbijetonin. Kjo ngjarje tragjike konsiderohet si një nga masakrat më mizore të luftës në Kosovë.