Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar mbështetje institucionale për personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë thelbësore në vendimmarrjen institucionale. Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit të zhvilluar të mërkurën me përfaqësuesit e HANDIKOS-it.

Gjatë takimit, Kurti njoftoi se u diskutuan sfidat me të cilat përballen këta persona, si dhe nevoja për zgjidhje konkrete dhe mbështetje institucionale.

Vëmendje e veçantë iu kushtua hartimit të një ligji gjithëpërfshirës, i cili synon të adresojë plotësisht nevojat dhe kërkesat e kësaj kategorie.

“Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse, të cilat i njohin më së miri sfidat dhe nevojat e tyre”, ka shkruar Kurti në faqen e tij në Facebook.

Ai theksoi se Qeveria mbetet e angazhuar për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara.