Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv në zonën e Daiasit në Tiranë dhe kodrat përreth. Forca të shumta zjarrfikëse po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Në operacion janë angazhuar repartet zjarrfikëse të Tiranës, Kamzës dhe Elbasanit. Në në terren ndodhen edhe forca të Policisë së Shtetit për koordinimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.

Autoritetet kanë vendosur nën monitorim të gjitha banesat pranë vatrës së zjarrit, raporton Euronews Albania, transmeton Klankosova.tv.

Ministria e Mbrojtjes më herët njoftoi se gjatë orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.

Sipas njoftimit në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile.

Gjithashtu nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor. Në Dajt mësohet se po vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.