Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Kurti theksoi se kreu i ardhshëm i shtetit duhet të jetë një figurë konsensuale dhe unifikuese, e cila gëzon mbështetje të gjerë në Kuvend dhe në shoqëri. Sipas tij, bëhet fjalë për një personalitet me kontribut të dëshmuar, me vlera kombëtare e qytetare, dhe i respektuar në profesion e në publik.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, u shpreh Kurti, duke theksuar se kandidati ideal duhet të jetë jashtë skenës aktuale politike dhe polemikave partiake.
Ai bëri të ditur se Vetëvendosje është e gatshme të heqë dorë nga posti i presidentit, në këmbim të një marrëveshjeje politike që do t’i shmangte vendit zgjedhjet e parakohshme.
Në kuadër të një marrëveshjeje bashkëqeverisëse, Kurti përmendi edhe ofertën ndaj LDK-së, duke thënë se kësaj partie i është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, si dhe pozita e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri.
Kurti konfirmoi se tashmë u ka shkruar kryetarëve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së – Lumir Abdixhikut, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit – me kërkesën për të takuar sa më shpejt dhe për të diskutuar rreth presidentit të ardhshëm.
Ai theksoi se tashmë diskutimi duhet të kalojë nga karakteristikat e përgjithshme te emrat konkretë. “Na duhet të kalojmë te emrat e përveçëm. Na duhet të kalojmë te emrat konkretë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, në Kosovë ka dhjetëra personalitete që mund ta ushtrojnë këtë funksion, duke përmendur figura me kontribut në rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe shtetndërtimin demokratik. Ai shmangu përmendjen e emrave konkretë, duke argumentuar se një emër i propozuar prej tij do të merrte menjëherë “vulën” e tij politike.
Kurti foli edhe për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, duke theksuar se edhe ajo është e interesuar që posti i presidentit t’i besohet sa më shpejt një figure unifikuese.
Në fund, Kurti paralajmëroi se zvarritja e marrëveshjes mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke u bërë thirrje partive politike të ulen në tavolinë dhe të gjejnë një emër të pranueshëm për të gjithë.
