Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar figurën e Hasan Prishtinës në 93-vjetorin e vrasjes së tij.
Në një postim në Facebook, Haxhiu theksoi se Hasan Prishtina ishte një ndër figurat kyçe që i dhanë drejtim politik lëvizjes kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX.
Ajo citoi fjalët e Hasan Prishtinës të shqiptuara në Parlamentin Osman, në dhjetor të vitit 1910, kur, duke kundërshtuar dhunën ndaj shqiptarëve, mbylljen e shkollave shqipe dhe represionin në Kosovë, ai deklaroi: “Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe”.
Vetëm dy vjet më pas, ai ishte prijës i Kryengritjes së vitit 1912, duke i shndërruar kërkesat e shqiptarëve në një program politik dhe veprim konkret.
Pas vitit 1912, Prishtina ia kushtoi pjesën thelbësore të veprimtarisë së tij Kosovës dhe shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. Ai ishte ndër drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe, edhe kur mbajti poste të larta shtetërore në Shqipëri, Kosova mbeti në thelb të angazhimit të tij politik.
Hasan Prishtina u vra në Selanik, më 13 gusht 1933, nga Ibrahim Çelo.
“Ai la pas vetes më shumë se dy dekada përpjekje politike për Kosovën dhe për të drejtat e shqiptarëve,” përfundoi Haxhiu citimin e saj.
