Spiuni i dyshuar i BIA-s serbe që u arrestua dje në Merdar, kishte arritur të ngjitej deri në Presidencë e Kryeministri. Si u bë?
Gazeta Express
Fehim Sali, pjesëtar i komunitetit goran në Kosovë, u arrestua dje në pikën kufitare me Serbinë në Merdar, nën dyshimin për spiunazh.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar sot caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tij.
Pak pasi në media u publikua një fotografi e tij, më shumë rrodhën dje pasdite. Sali kishte fotografi deri në Presidencën dhe Kryeministrinë e Kosovës.
Sali një arsimtar nga Komuna e Dragashit, i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.
Janë publikuar fotografi të tij me tashmë ish-presdenten Vjosa Osmani.
Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024. Ai u tha se ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.

Sali kishte qenë edhe në Kryeministri.
Zyra e Kryeministrit njoftonte më 3 tetor të vitit 2022 se shefi i Qeverisë, Albin Kurti kishte bashkëbiseduar “me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës”.
“Duke shprehur mirënjohje për kontributin e komunitetit goran në Kosovë, Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies së këtij komuniteti. Ai veçoi mbështetjen e dhënë përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Kjo ka përfshirë përfaqësimin e komunitetit në skemën e punës praktike në institucione gjatë gjashtë muajve të fundit, si dhe grantet që mbështesin OJQ-të në punën e tyre për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit”, thuhej në njoftimin e ZKm-së atëherë.

Në atë takim, sipas ZKM-së, ishte biseduar edhe për “forcimin e rolit të Zyrtarëve Komunalë për Komunitete dhe Kthim”.
“Në takim u bisedua për mundësitë dhe hapat e ardhshëm për rritje të angazhimit të përbashkët drejt krijimit të vendeve të reja të punës, zhvillimit të turizmit dhe rritjes së mirëqenies së komunitetit goran në Kosovë”, thuhej ndër tjerash në njoftim.

Prokuroria Speciale thotë se Fehim Sali, si i rekrutuar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), “ka vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, i njohur me nofkën ‘Zheljko’, në atë mënyrë që i njëjti ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të AKI-së përmes fotografimit të tyre, ka ofruar informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim”.
Në dosjen e Prokurorisë për Fehim Salin, thuhet gjithashtu se ai mbante kontakte me persona me ndikim politik e shoqëror në Serbi dhe në Kosovë nga komunitetet joshumicë, të cilëve u ofronte “udhëzime dhe orientuar për mënyrën e veprimit politik”.
Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale bastisën dje pasdite shtëpinë e tij në Dragash, ku u gjetën dhe sekuestruan 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.
