Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar të gjitha bizneset prodhuese, marketet dhe subjektet e tjera që tregtojnë produkte të qumështit që të tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bëhet fjalë për produktet e evidentuara në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me numër 4942, të datës 27 korrik 2026, dhe 5203, të datës 10 gusht 2026.

IQMT ka bërë të ditur se, duke u bazuar në kompetencat e përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, nga 14 gushti do të intensifikojë kontrollet në të gjitha subjektet që tregtojnë produkte të qumështit.

Bizneset ku gjatë inspektimeve do të konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesave të inspektorit, do t’i nënshtrohen masave ndëshkuese.

Në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-279, personi juridik që nuk eliminon parregullsitë e konstatuara brenda afatit të përcaktuar ose nuk vepron sipas kërkesës së inspektorit mund të gjobitet me 3 mijë deri në 9 mijë euro.

IQMT ka theksuar veçanërisht se mos tërheqja nga tregu e produkteve të konstatuara me mospërputhje, përfshirë produktet me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje të kërkesave ligjore dhe cenon interesat dhe të drejtat e konsumatorëve.

MINTI, përmes IQMT-së, ka paralajmëruar se kontrollet në treg do të intensifikohen më tej, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimit të respektimit të kërkesave ligjore nga operatorët ekonomikë.