Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se rezultatet e analizave laboratorike kanë konfirmuar se uji nga rrjeti i ujësjellësit në fshatin Miradi e Ulët është i pijshëm dhe brenda parametrave dhe standardeve të lejuara.
Sipas KRU “Prishtina”, analizat kimike kanë dëshmuar se uji nuk paraqet rrezik për konsum.
“Uji nga rrjeti i ujësjellësit rezulton i pijshëm dhe brenda parametrave dhe standardeve të lejuara, andaj nuk paraqet rrezik për konsum”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Nga verifikimet e realizuara është konstatuar se kontaminimi i evidentuar më herët ka ardhur si pasojë e një problemi teknik në rrjetin e ujësjellësit, konkretisht nga defektet në gypa.
Sipas kompanisë, këto defekte mund të kenë mundësuar përzierjen e ujit të puseve me ujin e rrjetit.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se pas pranimit të rezultateve laboratorike dhe verifikimeve të kryera, uji i rrjetit në Miradi të Ulët konsiderohet i sigurt për konsum.
Kompania më herët kishte paralajmëruar banorët që të mos e përdornin ujin për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, pas përkeqësimit të cilësisë së vërejtur gjatë punimeve për sanimin e një gypi.
