**Marc Bernal drejt rinovimit afatgjatë me Barcelonën deri në vitin 2031**
Mesfushori i talentuar 19-vjeçar, Marc Bernal, është gjithnjë e më pranë zgjatjes së kontratës me Barcelonën, e cila parashikon qëndrimin e tij në klub deri në vitin 2031.
Aktualisht, Bernal ka një kontratë me gjigantin katalanas deri në qershor të vitit 2029. Megjithatë, klubi ka shprehur dëshirën për ta shpërblyer talentin e tij dhe performancat e shkëlqyera duke e siguruar atë për një periudhë edhe më të gjatë.
Barcelona e konsideron Bernalin si një pjesë kyçe të projektit të saj afatgjatë. Vlen të theksohet se klubi kishte rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2029 në shtator të vitit të kaluar, duke përfshirë edhe një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se negociatat e reja janë në fazat përfundimtare dhe pritet që Bernal të zyrtarizojë vazhdimin e karrierës së tij në Camp Nou deri në vitin 2031.
