Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez zgjodhën t’i shkëmbenin betimet e martesës në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tyre, duke e preferuar një ceremoni intime familjare në vend të një dasme madhështore siç mund të pritej nga një çift i famshëm.

“Ne zgjodhëm ta bëjmë në dhomën e ndenjes së shtëpisë sonë, aty ku hamë mëngjes, drekë dhe darkë dhe ku e jetojmë përditshmërinë tonë”, tha Rodríguez për “Vogue”, në një intervistë të publikuar të dielën, përcjell “Gazeta Express”.

Duke folur pak para ceremonisë, ajo shpjegoi se dëshironte që fëmijët e tyre ta lidhnin gjithmonë shtëpinë e familjes me momentin kur prindërit e tyre u martuan.

“Pas 30 vitesh dua që fëmijët të mendojnë: ‘Diçka e mrekullueshme ka ndodhur në këtë tavolinë – betimet e martesës së prindërve tanë’.”

Për një çift të mësuar me pasuri të jashtëzakonshme dhe vëmendje të vazhdueshme publike, Rodríguez tha se privatësia dhe intimiteti kishin më shumë vlerë sesa luksi.

“Sepse kështjella, shtëpi, ishuj, kuaj, makina: ne i kemi të gjitha këto në dispozicion çdo ditë. Por diçka intime – kjo është më e pazakontë për ne”, u shpreh ajo.

Çifti gjithashtu dëshironte që fëmijët e tyre të ishin në qendër të ceremonisë.

Rodríguez i cilësoi ata si “protagonistët” e dasmës, duke e reflektuar rolin qendror që ata e kanë në jetën e përditshme të familjes.

Ceremonia e shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për Ronaldon dhe Rodríguezin, pasi këtë vit bëhen 10 vjet që nga takimi i tyre i parë në një dyqan të “Gucci”-t në Madrid, ku Georgina punonte si asistente shitjesh.

Lidhja e çiftit me “Gucci”-n vazhdoi edhe në dasmë. Rodríguez e veshi një veshje të personalizuar nga shtëpia italiane e modës, ndërsa edhe Ronaldo dhe fëmijët e tyre ishin të veshur me “Gucci”.

Megjithatë, çifti mund ta organizojë edhe një festë më të madhe në të ardhmen.

“Në të ardhmen do ta kemi një dasmë të madhe, në mënyrë që të festojmë me familjen dhe miqtë”, tha Rodríguez.

Pas ceremonisë, Ronaldo dhe Rodríguez udhëtuan drejt Shenjtërores së Zojës së Fatimës, ku e morën bekimin e një prifti.

Duke reflektuar për martesën, Rodríguez tha se dita u zhvillua pikërisht ashtu siç e kishte imagjinuar.

“Ishte pikërisht ashtu siç e kisha imagjinuar. Intime, plot dashuri dhe me familjen tonë në rolin kryesor. Nuk mund t’i përmbaja lotët”, rrëfeu ajo. /Gazeta Express