**Hoxhaj refuzon takimin e Haxhiut: S’ka proces tjetër politik pa u konstituuar Kuvendi**
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk sheh arsye për pjesëmarrje në takimin e ftuar nga Albulena Haxhiu, duke theksuar se i vetmi proces politik legjitim në Kosovë, në rrethanat aktuale, është konstituimi i Kuvendit. Sipas tij, rendi kushtetues nuk funksionon më në vend.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, Hoxhaj theksoi se nuk ka bazë për pjesëmarrje në procese të tjera politike përderisa Kuvendi nuk është konstituuar.
“Ne nuk jetojmë më në rendin kushtetues, por në rendin e Albin Kurtit. Republika parlamentare dhe demokracia në Kosovë janë shuar. Ajo që po shohim është një regjim personal, autoritar,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai shtoi se në këto rrethana, pjesëmarrja në procese të tjera politike nuk ka kuptim, duke kërkuar që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret sa më shpejt.
“Prandaj, nuk ka kuptim të marrim pjesë në asnjë proces politik, pavarësisht se kush e thërret atë. I vetmi proces politik legjitim është konstituimi i Kuvendit, dhe kryesuesi më i vjetër, sipas moshës, duhet ta thërrasë seancën sa më parë,” theksoi ai.
Hoxhaj paralajmëroi se PDK-ja do të vazhdojë me veprime politike si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit.
“I siguroj qytetarët e Kosovës se do të ndërmarrim çdo gjë brenda dhe jashtë Kuvendit për ta rikthyer rendin kushtetues, demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë,” përfundoi deklaratën e tij Hoxhaj.
Këto deklarata të Hoxhajt vijnë në ditën kur Albulena Haxhiu ka ftuar liderët e partive politike në një takim për të diskutuar daljen nga kriza politike që ka kapluar vendin. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë refuzuar ftesën për takimin e sotëm, ndërsa pritet që në të të marrë pjesë Albin Kurti.
