Serbia ka lansuar filmin e saj më të ri propagandistik, “Harvest” (Žetva), i cili rikthehet te narrativat e diskredituara për trafikim organesh dhe portretizon shqiptarët e Kosovës në një dritë negative. Filmi, i promovuar gjerësisht nga shteti serb, pretendon të tregojë historinë “tronditëse” të një baroni gjerman, i cili, pasi merr një zemër serbi të transplantuar nga shqiptarët e Kosovës, zhvillon ndjenja të forta për Kosovën.

Premiera e filmit, e mbajtur në Beograd, u ndoq nga elita politike dhe artistike e Serbisë, përfshirë kryetaren e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq, dhe ministrin e Kulturës, Nikola Selakoviq, duke treguar mbështetjen e fuqishme institucionale pas këtij projekti.

Narrativa e filmit bazohet në pretendimet e vjetra serbe për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, një akuzë që Serbia e ka përhapur gjerësisht, madje edhe me ndihmën ruse, duke arritur deri te një raport në Këshillin e Evropës. Megjithatë, hetimet intensive ndërkombëtare, përfshirë ato të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë (Gjykata Speciale), nuk kanë gjetur asnjëherë prova për trafikim organesh apo transplantime të tilla në aktakuzat e ngritura.

Filmi, i drejtuar nga amerikani Paul Kampf, pa një karrierë të spikatur në kinematografi, dhe i bazuar në romanin “Zemra serbe e Johanovos” të shkrimtarit serb Veselin Dzheletoviq, ka ngjallur polemika. Dzheletoviq ka deklaruar se regjisorët dërguan agjentë në Kosovë për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve nga romani, dhe se ky ishte faktori vendimtar që ata pranuan të punonin në film. Ai gjithashtu ka pretenduar se “lobby shqiptar” dërgoi mijëra e-mail-e kërcënuese dhe se disa aktorë u tërhoqën nga projekti pavarësisht kontratave.

Kritika e filmit ka qenë e fortë, madje edhe nga analistë serbë. Kritiku letrar dhe i filmit, Gjorgje Bajiq, e ka cilësuar “Harvest” si një dështim artistik dhe një mundësi të humbur, duke theksuar se “zemra u transplantua, por nuk rrahu”. Sipas Bajiqit, filmi nuk arrin të lidhë në mënyrë organike historinë personale me temën politike e historike, duke rezultuar në një rrëfim ilustrues që i mungon thellësia kinematografike dhe nuk është bindës për një audiencë ndërkombëtare.

Edhe aktori kosovar Armend Baloku ka reaguar, duke theksuar se “Serbia po investon seriozisht në kriminalizimin e luftës së UÇK-së përmes kinematografisë”, ndërkohë që çështje thelbësore mbeten të anashkaluara.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë kishte reaguar që në nëntor 2023, duke theksuar se ky nuk është filmi i parë propagandistik i Serbisë dhe duke e quajtur të trishtë dhe të papranueshme keqpërdorimin e kulturës për shpërndarjen e propagandës.

Historia me të cilën filmi merret, ajo e vitit 1999, përkon me intensifikimin e luftës në Kosovë nga Serbia, ku mbi 10 mijë civilë shqiptarë u vranë gjatë spastrimit etnik të ndërmarrë nga shteti serb. Ndërhyrja ajrore e NATO-s në mars 1999 kishte për qëllim pikërisht ndalimin e këtyre krimeve kundër njerëzimit.

Qendra e Filmit në Serbi dhe televizioni shtetëror, veçanërisht në dekadën e fundit, kanë financuar dhe prodhuar një numër të konsiderueshëm dokumentarësh dhe filmash me frymë propagandistike, shpesh duke rikujtuar periudhën e Sllobodan Millosheviqit. Kjo vjen në një kohë kur Kombet e Bashkuara kanë miratuar një rezolutë që shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, ku më shumë se 8300 boshnjakë u vranë nga forcat serbe në vitin 1995.