Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka lëshuar një mesazh të tërthortë lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës. Ai ka shpërndarë një thënie të njohur të James Freeman Clarke: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme. Një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm.” Ky veprim interpretohet si kritikë ndaj qëndrimeve të fundit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Mesazhi i diplomatit shqiptar shfaqet në një kohë kur debati për të drejtën e studentëve shqiptarë për t’u testuar në gjuhën shqipe është thelluar, duke u interpretuar si një përgjigje e tërthortë ndaj qëndrimeve të Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
Pas një peticioni të nënshkruar nga mbi 380 studentë shqiptarë, kryeministri Mickoski fillimisht u shpreh se “studentët kanë të drejtë”, por vetëm një ditë më vonë e ndryshoi qëndrimin, duke theksuar se “ligji nuk e lejon një praktikë të tillë”. Një qëndrim të ngjashëm mbajtën edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të cilët fillimisht e pranuan të drejtën e studentëve, por më pas deklaruan se “nevojiten ndryshime ligjore dhe harmonizim i kornizës ekzistuese”.
Ndërkaq, si përgjigje institucionale ndaj thirrjes për protestë nga studentët, u njoftua formimi i një grupi pune në Qeveri për trajtimin e kësaj çështjeje.
Megjithatë, sipas informacioneve të gazetës KOHA, ky grup ende nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, duke ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e qasjes institucionale.
Nga ana tjetër, ekspertë juridikë vlerësojnë se kërkesa e studentëve ka bazë të qartë ligjore. Sipas tyre, Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procese të tilla, duke e bërë të panevojshme çdo vonesë apo interpretim kufizues.
