**Abdixhiku në takim me Kurtin: Deklarata pas diskutimit për presidentin**

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Ky takim zhvillohet pas thirrjeve të kryeministrit Kurti drejtuar liderëve të opozitës, me qëllim diskutimin e çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

I pyetur nga gazetarët nëse pret arritjen e ndonjë konsensusi, Abdixhiku deklaroi se do të flasë publikisht vetëm pas përfundimit të takimit.

“Do të shohim tani, po shkojmë në takim. Pas takimit do të deklarohemi,” u shpreh shkurt Abdixhiku.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.