Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbërritur sot në Kuvendin e Kosovës për një takim me kryeministrin Albin Kurti. Takimi pritet të përqendrohet në diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ky takim vjen pas ftesave të kryeministrit Kurti drejtuar liderëve të opozitës, me qëllim gjetjen e një konsensusi rreth kandidatit për kreun e shtetit.

I pyetur nga gazetarët nëse pret ndonjë konsensus gjatë bisedimeve, Abdixhiku theksoi se do të deklarohet vetëm pas përfundimit të takimit. “Të shohim tani, po shkojmë në takim. Pas takimit do të deklarohemi”, – citohet të ketë thënë shkurt Abdixhiku.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.