Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se edhe sot do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autostradat e Kosovës, si pasojë e temperaturave të larta.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar arrin 32°C ose më lart.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime.
Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve dhe ngasësve që të respektojnë kufizimin e vendosur dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.
