Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Suharekë, Dardan Berisha, ka bërë thirrje për unitet të brendshëm, përgjegjësi dhe pjekuri politike, duke theksuar se interesat e përbashkëta të partisë duhet të jenë mbi çdo ambicie individuale.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se PDK-ja po kalon një moment të rëndësishëm politik, në të cilin kërkohet bashkim dhe respektim i strukturave partiake.

Ai ka theksuar se asnjë ambicie individuale dhe asnjë mospajtim nuk duhet të vendoset mbi interesin e përbashkët të partisë.Sipas Berishës, PDK-ja nuk është pronë e individëve, por një subjekt politik me histori, kontribut dhe përgjegjësi institucionale.

Në mesazhin e tij, ai ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit, forcimin e besimit dhe vendosjen e interesit të partisë mbi interesat personale.

“Sepse vetëm të bashkuar mund të përballemi me sfidat politike dhe të ecim përpara me dinjitet”, ka shkruar Berisha.