Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar në një intervistë për gazetën e njohur franceze “Le Monde” se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian bazuar në meritat e saj dhe përmbushjen e reformave të nevojshme, pa kërkuar trajtim të veçantë apo privilegje.
Gjatë vizitës treditore në Paris, Kurti u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron. Fokusi i bisedimeve ishte perspektiva evropiane e Kosovës, bashkëpunimi dypalësh dhe mbështetja franceze për projekte të rëndësishme zhvillimore.
Mesazhi kryesor i intervistës së tij për median franceze u përmblodh në titullin: “Pranimi në BE bazuar në meritë, jo përmes një dere të pasme”.
Në bisedën e zhvilluar më 10 nëntor, kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimet e sigurisë në Evropë dhe ndikimi i tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi luftën në Ukrainë, duke theksuar se “Agresioni rus kundër Ukrainës tregon se historia po kthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë më parë në këtë shekull”.
Kurti vuri në pah edhe pozitën e ndjeshme gjeopolitike të Kosovës, duke theksuar se Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë dhe pretendon territorin e saj.
Një tjetër temë e diskutuar gjatë vizitës ishte bashkëpunimi ekonomik, me theks të veçantë në projektet infrastrukturore dhe energjetike. Kryeministri kërkoi mbështetjen e Francës për realizimin e tyre, që synojnë forcimin e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së Kosovës.
Në kuadër të bashkëpunimit u diskutua edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat pritet të mbahen në Prishtinë. Për këtë qëllim, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), të destinuara për projektin e fshatit të atletëve.
Gazeta “Le Monde”, gjithashtu, trajtoi në intervistën me Kurtin edhe raportet Kosovë-Serbi, përfshirë çështjen e autonomisë së serbëve në Kosovë, të cilët, sipas të dhënave të përmendura, përbëjnë rreth gjashtë për qind të popullsisë së vendit.
Kjo intervistë vjen në një kohë kur Kosova synon të thellojë bashkëpunimin me partnerët evropianë dhe të sigurojë mbështetje për avancimin e procesit të integrimit të saj në Bashkimin Evropian.
