“Duhet të japim gjithçka”, trajneri Maran: Tifozët besojnë te ne!
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, mbajti një konferencë shtypi në prag të ndeshjes ndaj Finlandës, e cila do të zhvillohet të enjten, më 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Ai theksoi rëndësinë e kësaj përballjeje, duke vlerësuar përkushtimin e futbollistëve gjatë përgatitjeve dhe përkrahjen e madhe të tifozëve shqiptarë.
“E di që nga ana jonë ekziston dëshira e madhe për t’ua kthyer këtë përkushtim tifozëve. Siç i kam parë djemtë dhe mënyrën se si i përjetojnë këto grumbullime, ekziston vullneti për të bërë mirë. Jam i bindur për këtë”, deklaroi Maran.
Ai u shpreh i sigurt në potencialin e skuadrës dhe në përgatitjen e saj për këtë sfidë, duke theksuar se Shqipëria duhet të përqendrohet te loja e saj. “Unë kam bindjet e mia të forta, sepse i kam parë lojtarët duke punuar dhe e di se si do të dalim në fushë. Do të kemi përkrahjen e një stadiumi fantastik dhe janë të gjitha kushtet për të bërë mirë”, shtoi trajneri.
Lidhur me ndeshjen kundër Finlandës, trajneri italian bëri të qartë se objektivi kryesor është të krijojnë sa më shumë raste dhe të ruajnë portën e paprekur. “Ne do të futemi në fushë për të shënuar, për të krijuar sa më shumë mundësi dhe, mbi të gjitha, për të mos pësuar gol. Skuadra është e vetëdijshme për atë që duhet të bëjë dhe duhet ta dëshmojë edhe në ndeshjen e nesërme”, theksoi Maran.
Në fund, ai dha edhe një mesazh motivues për futbollistët, duke kërkuar që secili prej tyre të largohet nga fusha pa asnjë peng, pasi të ketë dhënë maksimumin. “Gjëja më e rëndësishme është që secili individualisht të dalë nga fusha pa pengje. Nëse e di se ka dhënë gjithçka, çdo pikë djerse, gjithë përkushtimin dhe zemrën për rezultat, atëherë e ka bërë ndeshjen e tij. Rezultati nuk dihet, por nëse e japim gjithçka në fushë, mundësitë për ta arritur atë rriten shumë”, përfundoi trajneri i Shqipërisë.
