Gjykata Themelore në Gjakovë dënon me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë një grabitës
Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë një person me inicialet A.M., pasi e ka shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes. Ngjarja, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë.
Kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor A.M., shtetas i Republikës së Kosovës, dhe i shqiptoi dënimin me burgim prej shtatë vjetësh dhe një gjobë prej 500 eurosh. A.M. ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për veprën penale të “Grabitjes”, e cila sanksionohet nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, A.M., së bashku me dy të mitur, I.A. dhe A.A., kishin lënë takim me të dëmtuarin E.B. prapa këndit të lojërave “Kids Center” në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë. Pas takimit, i dënuari A.M. i ishte afruar E.B.-së, e kishte kapur nga qafa dhe i kishte rrëmbyer çantën, ndërsa në dorë mbante një thikë.
Në atë moment kishte nisur një përleshje, gjatë së cilës A.M., duke përdorur dorezën e thikës që mbante në dorën e djathtë, e kishte goditur të dëmtuarin disa herë në krahun e majtë. Më pas, ai kishte prerë rripin e çantës së shpatullës me ngjyrë të zezë dhe ia kishte marrë atë.
Pasi ia mori çantën, A.M. e kishte hapur dhe prej saj kishte nxjerrë një portofol, nga i cili kishte marrë 115 euro. Më pas, pasi e kishte kontrolluar çantën, ishte revoltuar dhe, së bashku me të miturit, e kishin goditur sërish me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta fizike.
Palët kanë të drejtë të ankohen kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të tij.
