Tragjedi në futbollin francez: Ndërron jetë në fushë futbollisti 22-vjeçar Wanis Honsor
Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit francez. Mbrojtësi 22-vjeçar Wanis Honsor, i cili luante për klubin Saint-Denis, ndërroi jetë në mënyrë të papritur gjatë një seance stërvitore. Tragjedia ndodhi pasi ai pësoi një arrest kardiak në fushë, dhe pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjekësor, përpjekjet për ringjallje nuk patën sukses.
Lajmi i hidhur u bë i ditur edhe nga FC Rouen 1899, klubi ku Honsor ishte rritur profesionalisht. Nëpërmjet një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, FC Rouen shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e ish-lojtarit të tyre.
“FC Rouen 1899 mësoi këtë mëngjes me trishtim të madh për vdekjen e papritur të Wanis Honsor, i cili pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me klubin e tij Saint-Denis FC,” thuhet në njoftim.
Honsor kishte qenë pjesë e akademisë së Rouen dhe kishte luajtur edhe me ekipin e parë të klubit. Gjatë sezonit 2023/2024, ai kishte zhvilluar tre ndeshje me skuadrën kryesore, duke shënuar edhe një gol. Klubi shprehu gjithashtu ngushëllimet e sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit.
