**Atdhe Hetemi: Për dokumentimin e viktimave të luftës, kujdes maksimal dhe verifikim me tetë burime**

Duke u referuar pasaktësive të konstatuara në ekspozitën e Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë, e cila më pas u tërhoq, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, theksoi në `RTK Prime` se dokumentimi i krimeve të luftës kërkon metodologji strikte, verifikim të shumëfishtë të burimeve dhe qasje humane ndaj viktimave dhe të mbijetuarve.

Hetemi theksoi se Instituti i tij e ka prioritet dokumentimin e krimeve të luftës përmes një metodologjie që nuk përqendrohet vetëm te statistikat dhe emrat, por përfshin ngjarjet në tërësi.

Ai sqaroi se metodologjia për dokumentimin dhe verifikimin e krimeve të luftës, e hartuar pas Ligjit të Institutit, është një dokument i besueshëm. Kjo metodologji, e cila detajon hapat për identifikimin, mbledhjen, verifikimin, përpunimin, arkivimin dhe publikimin e dokumenteve, u përgatit jo vetëm nga Instituti, por në bashkëpunim me përfaqësues nga institucione akademike, shoqëria civile, mediat dhe institucionet e drejtësisë, të cilët kanë kontribuar në procesin e dokumentimit.

Hetemi shtoi se procesi i dokumentimit dhe verifikimit duhet trajtuar me kujdes maksimal për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të publikuara.

“Është e domosdoshme që procesi i dokumentimit dhe verifikimit të shqyrtohet me imtësi, në mënyrë që të dhënat e publikuara të jenë sa më të besueshme. Instituti nuk synon të jetë i pagabueshëm, por ka për detyrë ligjore dhe mision që të dhënat e publikuara të jenë të verifikuara dhe të dokumentuara në thellësi,” theksoi Hetemi.

Ai shtoi se Instituti po finalizon databazën e viktimave të luftës, duke përdorur burime të shumta verifikimi për çdo rast.

“Për çdo viktimë të luftës në Kosovë, instituti ka përdorur minimumi tetë burime për të verifikuar statusin dhe rrethanat e vdekjes. Është thelbësore të mos bazohemi në asnjë mënyrë në një burim të vetëm, por të kemi burime shtesë për të siguruar besueshmërinë maksimale të procesit të dokumentimit. Kjo është thelbësore, pasi bëhet fjalë për viktima të luftës, të mbijetuar dhe familjarë, të cilët mund të ndihen të fyer nëse puna nuk kryhet me seriozitet,” shpjegoi ai.

Ai listoi burimet kryesore të përdorura për databazën e viktimave të luftës, duke përmendur databazat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Agjencisë së Regjistrit Civil dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe burime të tjera të publikuara.

Sipas Hetemit, ndjekja e një metodologjie strikte është thelbësore para nxjerrjes së çdo përfundimi apo publikimit të ndonjë të dhëne.

“Metodologjia është bazamenti kyç në procesin e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë. Nuk mund të arrijmë në një dokumentim të saktë pa e prioritarizuar zbatimin e metodologjisë së duhur gjatë këtij procesi,” përfundoi Hetemi.

Hetemi theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës nuk është thjesht një proces administrativ, akademik apo kulturor, por mbi të gjitha një proces human që kërkon qasje njerëzore dhe përgjegjësi.

“Për dallim nga çdo hulumtim tjetër, dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë është mbi të gjitha një proces human. Nuk bëhet fjalë thjesht për një proces administrativ, akademik apo kulturor, por për një përpjekje që kërkon një qasje thellësisht njerëzore,” u shpreh ai.

Përveç aspekteve profesionale, si metodologjia, Hetemi theksoi se elementi human dhe njerëzor duhet të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Mosrespektimi i këtij parimi mund të shkaktojë dëme të pariparueshme dhe irritim te palët e prekura, duke e bërë këtë një përgjegjësi kolektive.