Mjalti, zgjidhja më e mirë se antibiotikët për kollën akute, sipas autoriteteve shëndetësore britanike

Instituti i Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar ka lëshuar një udhëzim të ri, duke theksuar se mjalti është zgjidhja më e mirë për trajtimin e kollës akute afatshkurtër, duke e preferuar atë ndaj antibiotikëve.

Sipas këtij udhëzimi, të cilit i referohet edhe portali AgroWeb.org, mjalti është efikas në zbutjen e simptomave të kollës akute, e cila shpesh shkaktohet nga infeksionet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Ai rekomandohet për t’u përdorur nga të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 5-vjeçare.

Ekspertët theksojnë se mjalti përbën kurën më të mirë për këtë lloj kolle, ndryshe nga antibiotikët, të cilët janë joefikasë në trajtimin e infeksioneve virale. Për më tepër, përdorimi i tyre shoqërohet me efekte anësore dhe kontribuon në rezistencën ndaj antibiotikëve.

Sipas specialistëve, antibiotikët duhen përdorur vetëm kur është me të vërtetë e nevojshme, veçanërisht kur rreziku i komplikacioneve serioze është i lartë. Ky udhëzim u është shpërndarë edhe autoriteteve spitalore në Mbretërinë e Bashkuar, duke ofruar një qasje të re për trajtimin e këtij problemi nga mjekët.

**Çfarë është kolla akute?**

Kolla akute përkufizohet si një kollë që zgjat për një periudhë të shkurtër kohe, zakonisht disa ditë ose javë. Ajo shfaqet si pasojë e një infeksioni në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, e cila mund të jetë e ftohura e zakonshme, gripi, apo bronkititi akut, një infeksion viral i përkohshëm.

**Përse nuk rekomandohet përdorimi i antibiotikëve?**

Antibiotikët janë efikasë vetëm për trajtimin e infeksioneve bakteriale. Në shumicën e rasteve, kolla akute shkaktohet nga viruset, të cilat nuk reagojnë ndaj antibiotikëve. Sipas ekspertëve britanikë, kur antibiotikët përdoren kundër kollës akute të shkaktuar nga viruset, ata nuk sjellin asnjë përmirësim, as në simptoma, as në infeksionin themelor.

Përdorimi i tyre duhet të jetë i kufizuar vetëm në raste infeksionesh bakteriale dhe shumë rrallë tek individët me sistem imunitar të dobët. Ky kufizim është thelbësor, pasi përdorimi i tepërt i antibiotikëve po çon në zhvillimin e rezistencës bakteriale, duke bërë që këto medikamente të humbasin efikasitetin e tyre me kalimin e kohës.

Sipas studiuesve britanikë, mjalti ndihmon në lehtësimin e kollës në një mënyrë natyrale dhe të shëndetshme. Ai mund të konsumohet në çaj, i shoqëruar me lëng limoni, ose thjesht një lugë çaji mjaltë sa herë që shfaqet kolla.