Vjedhje dhe tentativa vjedhjeje në xhami në Kamenicë: Grabitet kasaforta në Shipashnicë, dështojnë në Topanicë e Rogoqicë
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në tri fshatra të Kamenicës – Shipashnicë, Topanicë dhe Rogoqicë – janë raportuar raste të thyerjes së xhamive dhe tentativave për vjedhje. Rastet janë raportuar më 6 prill, ku një vjedhje ka qenë e suksesshme, ndërsa dy tentativa kanë dështuar.
Në fshatin Shipashnicë të Poshtme, një qytetar ka raportuar se, përmes kamerave të sigurisë, ka vërejtur një person që kishte hyrë në xhami. Hajni kishte thyer kasafortën dhe kishte vjedhur 300 euro. Rasti i është raportuar prokurorit dhe është në procedurë hetimore.
Ndërkaq, në fshatin Topanicë, imami i xhamisë ka denoncuar se persona të panjohur kanë thyer kasafortën e objektit fetar. Megjithatë, ata nuk kanë arritur të marrin asgjë nga brenda. Edhe ky rast është dërguar tek prokurori për hetime të mëtejshme.
Një tentativë tjetër vjedhjeje ka ndodhur në fshatin Rogoqicë. Aty, imami i xhamisë ka deklaruar se përmes kamerave kishte vërejtur një person që tentonte të thyente kasafortën me mjete të forta. Përpjekja ka dështuar dhe hajni nuk ka arritur të vjedhë asgjë, duke shkaktuar vetëm dëme në kasafortë. Policia po heton edhe këtë rast.
Të gjitha rastet janë nën hetim nga ana e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë.
