Nutella u bë protagonistja e papritur e misionit hapësinor Artemis II, duke siguruar një publicitet me vlerë të pallogaritshme, të cilin asnjë fushatë marketingu nuk do të mund ta blinte.

Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga NASA, një kavanoz me Nutella u shfaq rastësisht nga një pjesë e brendshme e anijes kozmike Orion. Në mungesë peshe, kavanozi filloi të rrotullohej ngadalë, me etiketën e tij drejtpërdrejt përballë kamerës, duke krijuar përshtypjen e një skenari të planifikuar me mjeshtëri.

Ekipi i marketingut të Nutella-s reagoi menjëherë, duke publikuar videon në profilet e saj zyrtare me mesazhin:

“Jemi të nderuar që kemi udhëtuar më larg se çdo udhëtim tjetër në histori. Po përhapim buzëqeshje në nivele të reja.”

Kjo pamje në momentin e duhur nxiti menjëherë spekulime se bëhej fjalë për një reklamë të fshehtë. Megjithatë, NASA i mohoi kategorikisht këto pretendime. Zëdhënësja e agjencisë, Bethany Stevens, sqaroi se NASA nuk përzgjedh ushqimet për ekuipazhin në bashkëpunim me marka tregtare.

“Kjo nuk ishte reklamë e paguar,” tha shkurt Stevens.

Burimi: Indeksonline