Pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë Ushtarake të Turqisë

Pesë kadetë nga Kosova kanë diplomuar me sukses në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve. Ceremonia u zhvillua në kuadër të kremtimeve të Ditës së Fitores së Republikës së Turqisë.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Maqedonci takoi edhe Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, të cilëve u përcjellë urimet me rastin e kësaj dite historike.

Ai përgëzoi pesë kadetët nga Kosova për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e tyre gjatë studimeve, duke u uruar një karrierë të suksesshme në shërbim të atdheut.

“I përgëzova për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e arritur gjatë studimeve, duke u uruar një karrierë të suksesshme në shërbim të vendit. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes janë të rëndësishme dhe bashkëpunimi ynë në edukimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja ushtarake është një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi”, ka theksuar Maqedonci.