Një studim i ri ka gjetur se perceptimi i dietave si “hapësira femërore” dhe mungesa e mbështetjes sociale mund t’ua vështirësojnë burrave procesin e humbjes së peshës.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore PLOS One, shqyrtoi përvojat dhe qëndrimet e burrave ndaj programeve për humbje peshe. Hulumtimi u krye nga një ekip i Universitetit Anglia Ruskin në Angli, përmes një grupi të vogël diskutimi me burra mbi 30 vjeç.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e përshkruan negativisht përvojën e tyre me dietat, veçanërisht për shkak të natyrës kufizuese dhe qasjes së programeve që synojnë humbje të shpejtë në peshë.
Sipas studiuesve, një tjetër faktor është mënyra se si dieta perceptohet në shoqëri. Pjesëmarrësit thanë se kultura e dietave shpesh paraqitet si më shumë e orientuar drejt grave, për shkak të imazheve dhe diskursit që lidhen me pamjen fizike dhe dobësimin.
Megjithatë, mbështetja nga partneret rezultoi të ketë rol të rëndësishëm në motivimin e burrave për të vazhduar përpjekjet për humbje peshe.
Justin Roberts, profesor i Fiziologjisë së Ushqyerjes në Universitetin Anglia Ruskin dhe bashkautor i studimit, tha se disa prej burrave pjesëmarrës kishin arritur të humbnin peshë në të kaluarën pikërisht falë mbështetjes dhe përfshirjes së bashkëshorteve të tyre.
Studimi gjeti gjithashtu se elementet e konkurrencës, ndërveprimit social dhe mbështetjes mund të jenë më efektive në krijimin e strategjive për humbje peshe te burrat.
Studiuesit theksojnë se nevojiten qasje më të përshtatura për burrat, duke përfshirë kontrolle të rregullta, mbështetje dhe strategji individuale për përballimin e vështirësive gjatë procesit të humbjes së peshës.
Autorët pranojnë se studimi ka kufizime, përfshirë përzgjedhjen e pjesëmarrësve, ndaj gjetjet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë burrat. Megjithatë, hulumtimi ngre çështjen se mënyra se si konceptohen dhe komunikohen programet për humbje peshe mund të ndikojë në suksesin e tyre.
