Marrëveshja Kurti-Abdixhiku për Bekim Sejdiun, sot mblidhet edhe Grupi Parlamentar i VV

Pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e Presidentit të Kosovës, sot pritet të mblidhet edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Burime pranë Gazetës Express bëjnë me dije se deputetët e Grupit Parlamentar të VV-së do të zhvillojnë sot një takim, ku një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht marrëveshja e arritur për kandidatin konsensual presidencial.

Kurti dhe Abdixhiku ranë dakord të hënën që profesori dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidati i përbashkët i VV-së dhe LDK-së për postin e Presidentit.

Marrëveshja u finalizua pas disa javësh diskutimesh ndërmjet dy partive. Abdixhiku ka bërë të ditur se negociatat kishin nisur më 9 korrik dhe synonin gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e ngërçit institucional.

Sejdiu, nga ana e tij, e ka pranuar kandidaturën dhe ka deklaruar se është i gatshëm t’i shërbejë Republikës së Kosovës.

Nëse Bekim Sejdiu, kandidati i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së, nuk arrin të zgjidhet President në tri raundet e votimit (ashtu siç do të ndodhte me çdo kundërkandidat), Kushtetuta e Kosovës parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Për zgjedhjen e Presidentit, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 ulëse.