Alarmues numri i viktimave në vendin e punës: 17 të vdekur këtë vit në Kosovë
Situata e sigurisë në punë në Kosovë mbetet shqetësuese, pasi numri i personave që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrave ka arritur në 17 vetëm brenda këtij viti. Kjo shifër vjen ndërkohë që gjatë vitit të kaluar humbën jetën rreth 20 punëtorë.
Rasti më i fundit që ka çuar në këtë shifër alarmante është ai i 29-vjeçarit Bajram Selimi nga Kuqica e Skënderajt. Selimi humbi jetën tragjikisht gjatë punës në kantierin e ndërtimit të stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok.
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:00. I riu pësoi lëndime të rënda dhe fillimisht u dërgua për trajtim në QKMF-në e Zubin Potokut. Për shkak të gjendjes kritike, ai u transportua më pas në Spitalin Klinik në Mitrovicën e Veriut, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 11:00 u konstatua vdekja e tij.
Policia e Kosovës konfirmoi rastin dhe nisi hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.
Këto shifra tronditëse vijnë në kohën kur Inspektorati i Punës (IP) ka intensifikuar kontrollet në terren. Vetëm rreth një javë më parë, Inspektorati ndaloi punimet në 12 vendpunishte në komunat e Skënderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe Ferizajt. Gjatë inspektimeve u konstatuan shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, u urdhërua ndërprerja e menjëhershme e punimeve derisa të eliminohen parregullsitë dhe të krijohen kushte të sigurta për punë. Inspektorati theksoi se punimet në këto vendpunishte mund të rifillojnë vetëm pasi të konstatohet përmbushja e të gjitha kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë.
Këto raste të njëpasnjëshme fatale rikthejnë në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes së punëtorëve në Kosovë, ndërsa Inspektorati i Punës ka paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve intensive në mbarë vendin.
