Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, deklaroi sot se institucionet evropiane do të bashkëpunojnë me qeverinë e re të Serbisë, ashtu siç do të bashkëpunonin me çdo qeveri tjetër të zgjedhur në mënyrë të lirë.

“Është në interesin tonë të mbështesim reformat që lidhen me sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit,” tha Paula Pinho.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, deklaroi se Serbia i përket familjes evropiane dhe se Komisioni i ka mirëpritur ambiciet e administratës së re drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Po krijohen kushtet që Serbia të bëjë përparim në rrugën e saj evropiane,” tha Mercier.

Komisioni është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë e re dhe të mbështesë reformat në fushat e sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit, theksoi Mercier, duke shtuar se Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të avancuar të ardhmen e Serbisë brenda BE-së.

I pyetur për tranzicionin paqësor të pushtetit, ai vuri në dukje se kjo është çështje që u takon aktorëve në Serbi – duke shtuar se “Lista Studentore” duhet të formojë tani institucionet – dhe se BE-ja është aty për t’i mbështetur ata në reformat e tyre.

Sa i përket raportit për zgjerimin, Mercier deklaroi se puna për të është aktualisht duke vazhduar.