Gazetari Xhesjon Zogu, 26 vjeç, humbi jetën në një aksident tragjik rrugor mëngjesin e sotëm në aksin Vorë-Fushë Krujë.
Aksidenti, i raportuar nga Euronews.al, ndodhi mëngjesin e sotëm pas një përplasjeje ballë për ballë mes dy automjeteve.
Bazuar në raportimet e mediave lokale, përplasja dyshohet se ka ndodhur pasi një automjet i markës “Benz”, që udhëtonte nga Rinasi drejt Fushë-Krujës, ka kryer një parakalim të gabuar. Në atë moment, “Benz”-i është përplasur me një “Land Rover” që vinte nga drejtimi i kundërt, nga veriu drejt jugut.
Si pasojë e përplasjes së dhunshme, 26-vjeçari ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër po merr trajtim mjekësor në spital, në gjendje të rëndë.
