FC Prishtina zhvendoset nga “Fadil Vokrri”, stadiumi përgatitet për Kombëtaren
**Prishtinë** – Klubi i futbollit FC Prishtina ka njoftuar se do të luajë ndeshjet e saj për një periudhë të caktuar larg stadiumit “Fadil Vokrri”. Ky vendim vjen si pasojë e punimeve për riparimin e fushës, që do të kryhen në stadiumin kombëtar me qëllim përgatitjen e tij për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Kosovës.
Ndeshja e radhës e klubit kryeqytetas, kundër FC Vushtrrisë, e cila ishte parashikuar të luhej në “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet të premten në Qendrën Nacionale të Stërvitjes në Hajvali.
Vendimi për zhvendosjen e përkohshme të ndeshjeve të FC Prishtinës është marrë në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Qëllimi kryesor i këtyre ndërhyrjeve është ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së tapetit të gjelbër të stadiumit, një faktor jetik për performancën e Kombëtares në garat ndërkombëtare.
