Një person është arrestuar në Klinë nën dyshimin për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Rasti ishte raportuar më 28 gusht, kur Policia ishte njoftuar se një person, nga automjeti i tij, kishte shtënë me armë zjarri në ajër dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitet policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kishin gjetur katër gëzhoja.

Pas një pune intensive hetimore, hetuesit e Stacionit Policor në Klinë kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin më 3 shtator.

Gjatë kontrollit, nga i dyshuari janë sekuestruar një revole me gaz dhe një karikator.

Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./IndeksOnline/