Ish-presidentja Atifete Jahjaga shpreh mbështetje për “Marshin për Liri”
**Prishtinë, 4 shtator** – Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur mbështetjen e saj për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator, në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sot, ish-presidentja Jahjaga priti ekipin e platformës qytetare “Liria Ka Emër”. Gjatë takimit, u diskutua për rëndësinë e këtij marshi dhe mesazhin e tij në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesit e platformës “Liria Ka Emër” shfrytëzuan rastin të vizitonin edhe muzeun “Çast”, një hapësirë e dedikuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Ky muze, i cili shpalos dhimbjen, përvojat dhe sfidat e viktimave përmes një qasjeje artistike e konceptuale, duke përfshirë edhe stigmën e tyre të përditshme, është një nismë e fondacionit të ish-presidentes Jahjaga.
Në përfundim të vizitës, platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderoi fondacionin “Jahjaga” dhe ish-presidenten personalisht për mikpritjen dhe përkrahjen e ofruar.
“Marshi për Liri” do të nisë më 12 shtator, në orën 14:00, nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.
