Avokatët e huaj të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i kanë dërguar një kërkesë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për një takim të dytë me klientin e tyre, i cili pritet të mbahet më 10 shtator.

Qëllimi i këtij takimi është përgatitja e aplikimit përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, ku synohet të adresohet çështja e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Veliajt. Gjatë takimit të planifikuar, Veliaj pritet të firmosë dokumentet e nevojshme për ankesën që do të dorëzohet në GJEDNJ.

Ky hap i avokatëve pason dy vendime të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryebashkiakut. Gjykata Kushtetuese ka kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj Veliajt, duke kërkuar një arsyetim më të qartë mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të arrestit në burg dhe mundësinë e zëvendësimit të tij me një masë më të butë.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt dhe aktualisht është i vetmi person në këtë proces gjyqësor ndaj të cilit vazhdon të aplikohet masa e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të bashkëpandehurve të tjerë vijon në fazën e shqyrtimit të themelit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Nëse aplikimi do të dorëzohet dhe pranohet, çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt do të zhvendoset kështu edhe në një betejë ligjore ndërkombëtare, përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.