Mbrojtja e Vullnet Gashit kërkon lirimin nga akuzat për aksidentin fatal të vitit 2023, duke pretenduar se shkak ishte sjellja e papritur e këmbësorit. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokati Driton Muharremi, përfaqësues i të akuzuarit Vullnet Gashi, argumentoi se nuk ka lidhje shkakësore që e bën klientin e tij përgjegjës për vdekjen e këmbësorit Ferat Bejtullahu.

Avokati Muharremi theksoi se gjatë shqyrtimit të çështjes nuk është vërtetuar lidhja shkak-pasojë që do ta bënte Gashin përgjegjës për vdekjen e këmbësorit. Përkundrazi, provat dëshmojnë se aksidenti ndodhi si pasojë e veprimeve të vetë këmbësorit.

Muharremi sqaroi se aksidenti i datës 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, ndodhi për shkak të sjelljes së papritur dhe të kundërligjshme të këmbësorit të ndjerë. Ai shtoi se, edhe nëse veprimet e klientit të tij përmbajnë shkelje formale të rregullave të trafikut, ato nuk kanë qenë shkaku kryesor i pasojës fatale.

Avokati detajoi rrethanat e vendit të ngjarjes: aksidenti ndodhi në zonë urbane, në një rrugë me gjashtë shirita (tre për çdo drejtim), me ndarje fizike, kufizim shpejtësie prej 40 km/h, sipërfaqe të thatë dhe dukshmëri të mirë. Automjeti i Gashit po lëvizte në shiritin e djathtë, të rezervuar për autobusë dhe taksi. Këmbësori Ferat Bejtullahu po kalonte rrugën nga e majta në të djathtë, rreth 71 metra larg vendkalimit më të afërt. Një kamion po lëvizte në shiritin e mesëm. Këmbësori doli duke vrapuar para kamionit dhe u godit sapo hyri në shiritin e djathtë. Vdekja u konfirmua nga QKUK. Këto fakte nuk kontestohen, por mbrojtja kundërshton lidhjen shkakësore dhe mundësinë teknike të drejtuesit për të shmangur aksidentin.

Pika kyçe e mbrojtjes lidhet me kontradiktat mes dy ekspertizave të paraqitura në gjyq: asaj të ekspertit Ahmet Maxhuni dhe ekspertit Durak Cikaçi.

Ekspertiza e Ahmet Maxhunit konstatoi se shpejtësia e automjetit ishte 50-60 km/h, bazuar kryesisht në dëmet materiale dhe pa ndonjë metodë shkencore. Maxhuni e cilësoi drejtuesin si shkaktar primar për tejkalim shpejtësie, lëvizje në shiritin e autobusëve dhe drejtim në masën e ndalimit, por pa ofruar argumente shkencore. Ai i dha këmbësorit “lëshime sekondare”, megjithëse vetë konstatoi se këmbësori kishte kaluar rrugën në kundërshtim me nenin 143, pika 3 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Nga ana tjetër, mbrojtja iu referua ekspertizës së Durak Cikaçit, e cila, sipas tyre, bazohet në metoda shkencore dhe analiza filmike. Kjo ekspertizë, e prezantuar në seancën e datës 21.07.2026, theksoi se shpejtësia e llogaritur prej 45 km/h ishte bazuar në analizën hapësinore-kohore dhe pamjet filmike. Distanca e vërejtjes së rrezikut ishte vetëm 8.29 metra, goditja ndodhi brenda kohës së reagimit, dhe frenimi pas saj. Dalja e këmbësorit ishte e papritur për shkak të kufizimit të fushëpamjes nga kamioni. Lëvizja në shiritin e transportit publik nuk u konsiderua shkak i aksidentit, pasi automjeti në atë shirit ka përparësi. Tejkalimi eventual i shpejtësisë u lidh me pasojat, jo me shkakun e aksidentit apo mundësinë e evitimit. Cikaçi konstatoi se aksidenti do të ishte i pashmangshëm nëse shpejtësia do të ishte mbi 21.89 km/h, çka nënkupton se drejtuesi nuk kishte lëshime që lidhen me mundësinë e evitimit.

Avokati nënvizoi gjithashtu se edhe vetë eksperti Maxhuni, në seancën e datës 25.06, kishte pranuar se aksidenti nuk do të mund të evitohej edhe me shpejtësinë e lejuar prej 40 km/h.

Mbrojtja shprehu keqardhje për refuzimin e trupit gjykues ndaj propozimit të përbashkët të palëve për marrjen e një super-ekspertize nga një grup ekspertësh, propozim ky i bërë në seancën e datës 21.07.2026. Avokati vlerëson se ky refuzim lë gjykatën përballë një “konflikti shkencor të pazgjidhur” mbi shkakësinë dhe mundësinë e evitimit të aksidentit. Në këtë situatë, ai theksoi se gjykata është e detyruar të veprojë sipas nenit 3, paragrafit 2 të Kodit të Procedurës Penale, ku dyshimet interpretohen në favor të të pandehurit (parimi “in dubio pro reo”). Ky parim kërkon që, përballë dy ekspertizave kontradiktore, gjykata t’i japë besim ekspertizës së Durak Cikaçit. Muharremi shpreson që gjyqtari të rihapë shqyrtimin dhe të urdhërojë një super-ekspertizë nga një institucion i specializuar, si Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Muharremi analizoi edhe veprimet e këmbësorit në dritën e nenit 143 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Ky nen përcakton se kalimi i rrugës jashtë vendkalimit lejohet vetëm nëse nuk pengon qarkullimin e mjeteve dhe këmbësori duhet t’u japë përparësi atyre. Gjithashtu, brenda zonave urbane, në rrugët me ndarje fizike, këmbësori detyrohet të përdorë vetëm vendkalimet e caktuara. Avokati theksoi se këmbësori Ferat Bejtullahu shkeli këto rregulla: ai kaloi rrugën 71 metra larg vendkalimit, kaloi tre shirita, doli duke vrapuar para një kamioni dhe hyri në shiritin e djathtë pa i dhënë përparësi automjetit. Kjo sjellje, sipas Muharremit, ishte në kundërshtim të plotë me detyrimet ligjore dhe ishte “e papritur dhe e fshehur nga kamioni”, duke krijuar situatën e rrezikut.