Kryenegociatori i Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka shprehur thellë zhgënjimin e tij ndaj ministrave për Çështje Evropiane, të mbledhur në Dublin, pasi askush nuk e përmendi apo diskutoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Ky qëndrim, sipas Zulfajt, shpërfill progresin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar Unionit.

“Kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi dëgjuar askënd në këtë sallë të kërkojë që aplikimi ynë të ecë përpara”, theksoi Zulfaj gjatë fjalës së tij. Ai vuri në dyshim pse i kërkohet atij vazhdimisht të bindë të gjithë se Kosova meriton të përparojë, duke sugjeruar se ky është rol edhe i Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, në Pragë, por që nga ajo kohë nuk ka shënuar asnjë progres të dukshëm. Zulfaj theksoi angazhimin e Kosovës, duke përmendur përafrimin e qeverisë me 55 vendimet më të fundit të Këshillit të BE-së dhe deklaratat e Përfaqësueses së Lartë, duke ruajtur kështu një shkallë të plotë, 100 për qind, të përputhshmërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.

Kryenegociatori vuri në dukje se zgjerimi është instrumenti më efektiv i politikës së jashtme të BE-së, duke transformuar vendet aspirante sipas vlerave dhe standardeve të Unionit. “Prandaj, në thelb, avancimi drejt Bashkimit Evropian përmes një procesi të bazuar në merita është po aq në interesin e BE-së sa edhe në interesin e vendit aspirant,” tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Zulfaj nuk ngurroi të kritikojë ashpër praninë e ministrit serb për Integrime Evropiane në të njëjtën tavolinë. Ai theksoi se qeveria serbe “dje e priti me nderime ushtarake trupin e një personi të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë që njeh njerëzimi, dhe synon që këtë fundjavë ta varrosë atë me nderime shtetërore”.

“Kjo është e gabuar. Dhe, do të jetë njollë mbi ndërgjegjen tonë nëse nuk themi asgjë!”, përfundoi Zulfaj, duke bërë thirrje që Komisioni Evropian të ftohet të përgatisë Opinionin për aplikimin e Kosovës dhe të lejojë që procesi të vazhdojë mbi bazën e meritës.