Policia konfiskon tri armë në Han të Elezit, nis procedurën penale ndaj 47-vjeçarit
Policia e Kosovës ka konfiskuar tri armë gjatë një bastisjeje në një shtëpi në fshatin Rezhanë të Hanit të Elezit. Njëkohësisht, është nisur një procedurë penale ndaj një 47-vjeçari, i dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni është realizuar më 28 tetor, rreth orës 19:30, si pjesë e hetimeve për një rast sulmi.
Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, me iniciale A.B., janë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore.
Verifikimet e mëtejshme të policisë treguan se lejet e armëve të zjarrit kishin skaduar që më 24 shtator.
Me urdhër të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është hapur rast penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Çështja do të procedohet më tej sipas rregullave ligjore në fuqi.
