Inter Miami është ndalur në barazim 2-2 ndaj Atlanta United, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në “Nu Stadium”, ku Lionel Messi u rikthye në aksion me klubin pas tërheqjes nga futbolli ndërkombëtar.

Argjentinasi ishte protagonist absolut i të dy golave të Inter Miamit, duke dhuruar dy asistime. Fillimisht, Messi ekzekutoi një goditje nga këndi në minutën e 32-të, nga e cila Casemiro shënoi për 1-0. Atlanta reagoi vetëm tre minuta më vonë përmes një goli që riktheu baraspeshën.

Inter Miami e nisi pjesën e dytë në kërkim të golit të dytë dhe e gjeti atë përmes Luis Suárez, i cili e riktheu epërsinë e vendasve. Messi ishte sërish në qendër të aksionit, duke regjistruar asistimin e dytë të mbrëmjes.

Megjithatë, kur dukej se tri pikët do të mbeteshin në Miami, Atlanta fitoi një penallti në minutën e 87-të. Breel Embolo, në debutimin e tij me klubin, u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2-2.

Ndeshja pati edhe një vonesë prej më shumë se 90 minutash për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe rrufeve, por kjo nuk e zbehu spektaklin në fushë.

Me këtë barazim, Inter Miami mbetet në mesin e skuadrave kryesuese të Konferencës Lindore, ndërsa Messi vazhdon të jetë një nga lojtarët më vendimtarë të MLS-së, tashmë me 18 gola dhe 9 asistime në sezon.