**Gjilan: Bizneset valëviten me flamuj të UÇK-së, në pritje të vendimit për ish-udhëheqësit**
Janë afro dhjetë ditë deri në shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale. Para kësaj date, më 12 shtator, do të mbahet një marsh në Prishtinë në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Mobilizimi për këtë marsh, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, po vijon me intensitet nëpër të gjitha komunat e Kosovës, me synimin për të marrë pjesë në marshimin e Prishtinës.
Qytetarë të shumtë, biznese dhe kategori të ndryshme të shoqërisë janë angazhuar për të shprehur përkrahjen e tyre ndaj katërshes së ish-krerëve të UÇK-së. Në Gjilan, pothuajse të gjitha bizneset gastronomike tashmë kanë vendosur flamujt e UÇK-së.
Iniciatori i kësaj nisme, Arlind Vokshi, ka deklaruar për Klankosova.tv se pjesa dërrmuese e qytetarëve i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për vendosjen e flamujve të UÇK-së dhe kanë konfirmuar mbështetjen për marshin e 12 shtatorit. Vokshi ka shpërndarë edhe fotografi që dëshmojnë vendosjen e flamujve nëpër lokale.
Edhe në komuna të tjera të Kosovës, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë shprehur mbështetje për Marshin për Liri dhe shpresojnë në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
