David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, shprehet se Kosova ka vepruar, në një masë të caktuar, me bindjen se Uashingtoni “do të jetë gjithmonë aty”.
Megjithatë, sot, sipas Kanin, vendi gjendet pa një drejtim të qartë strategjik, i zhytur në një krizë të thellë politike dhe pa një plan afatgjatë zhvillimi.
Kanin vë në dukje se “serbët janë treguar shumë më të suksesshëm se kosovarët në menaxhimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, sidomos që prej ardhjes së Kurtit në pushtet”. Ai shton se, ndonëse thelbësisht pajtohet me Kurtin për dialogun me evropianët, “Kurti nuk shkon mirë me askënd. Njerëzit nuk e pëlqejnë dhe Vuçiq ka arritur ta shfrytëzojë këtë”, këmbëngul Kanin për Exposenë.
Në kontekstin e një Uashingtoni gjithnjë e më transaksional, profesori thekson se Kosova ka gabuar kur refuzoi avancimin e projektit të gazit të lëngshëm amerikan. Ai sqaron se Prishtina, ndryshe nga Beogradi, nuk e ka vlerësuar siç duhet rëndësinë politike që një projekt i tillë mund të kishte në marrëdhëniet me SHBA-në.
Sipas Kanin, “Serbia, Maqedonia e Veriut kanë bërë marrëveshje për furnizim me gazin amerikan. Kosova ka bërë gabim në këtë çështje”.
